Home AKTUALITET BSH- Efekti i tërmetit në ekonomi, rënie me 0.6 pikë

BSH- Efekti i tërmetit në ekonomi, rënie me 0.6 pikë

Tërmeti mund ta ngadalësojë rritjen ekonomike për vitin 2020 deri në 0.6 pikë përqindje. Banka e Shqipërisë për herë të parë është shprehur me projeksione sasiorë për ndikimin e tërmetit në ekonominë e vendit. Sipas analizës së Bankës Qendrore, ky efekt mund të fillojë nga 0.3 deri në 0.6 pikë përqindje në rritjen e prodhimit kombëtar. Ndikimin kryesor pritet ta japë ulja e të ardhurave nga turizmi, ndërsa një ndikim më të kufizuar parashikohet të ketë nga ngadalësimi i shpenzimeve të konsumatorëve. Goditja në besim dhe pasiguria pritet të zvogëlohen gradualisht dhe konsumatorët priten t’i rikthehen modelit të tyre të konsumit. Në krahun tjetër, efekti negativ i tërmetit pritet të balancohet deri diku nga paratë  që do të injektohen në ekonomi për rindërtimin e objekteve të dëmtuara. Por, duke marrë parasysh kohën e nevojshme për mbledhjen e fondeve dhe për hartimin e planeve të veprimit, ky efekt nuk pritet të mbulojë njëtrajtësisht vitin kalendarik. Për këtë arsye, ndikimi pozitiv nga rindërtimi, ndonëse mund të amortizojë efektet negative nga tërmeti, nuk do të arrijë ta balancojë plotësisht efektin negative.

Ulja e kërkesës së brendshme, si rrjedhojë e tërmetit, do të japë ndikim edhe në rritjen e çmimeve. Sipas bankës së Shqipërisë,  goditja e tërmetit mund të ulë inflacionin me 0.2 – 0.3 pikë përqindjeje gjatë vitit 2020. Rritja e kërkesës agregate me ritme të ulëta edhe gjatë vitit aktual do të shoqërohej me presione të dobëta për rritje të pagave, të kostove të tjera të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit në ekonomi. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nënvizon se në analizën e efekteve të tërmetit në inflacion do të jetë i rëndësishëm vlerësimi i ndikimit të tij në kapacitetet prodhuese të ekonomisë dhe, rrjedhimisht, në madhësinë e hendekut të prodhimit.

Pavarësisht nga pesimizmi për vitin 2020, Banka Qendrore pret që, me zvogëlimin e efekteve afatshkurtra të tërmetit, ekonomia do të kthehet në ekuilibrat e vetë brenda një periudhe afatmesme, sepse faktorët themelorë që mbështesin rritjen e ekonomisë nuk kanë pësuar ndryshime të rëndësishme. Ky gjykim gjen mbështetje në ndikimin e pakët në stokun e kapitalit e në bazën prodhuese të ekonomisë, në balancat e sektorit financiar, si dhe në ambientin stimulues financiar. Gjithashtu, aktiviteti rindërtues pritet t’i japë një stimul të  rëndësishëm ekonomisë përtej horizontit afatshkurtër. Sektori i ndërtimit pritet të përshpejtohet duke dhënë efekte pozitive zinxhir edhe në sektorët e tjerë të lidhur me të. Përveç kësaj, zëvendësimi i aseteve të dëmtuara me një kapital të ri dhe të përmirësuar, në teori, do të rrisë produktivitetin dhe do të nxisë rritjen ekonomike në afatin e gjatë./SCAN TV