Home AKTUALITET Nga Ilir Ciko – Problemi themelor nga i cili Shqipëria vuan prej...

Nga Ilir Ciko – Problemi themelor nga i cili Shqipëria vuan prej vitesh, nuk është mungesa e burimeve të financimit, por shpërdorimi i përgjegjësisë publike

Ndërsa debatet mbi financimet e ofruara nga vendet që na mbështesin vazhdojnë të thellohen rreth qasjeve se si do të kontabilizohet fluksi që pritet të rritet në ekonominë e vendit, sërish ka një prirje të dukshme për të harruar, mjerisht jo për herë të parë, se problemi themelor nga i cili Shqipëria vuan prej vitesh e dekadash, nuk është mungesa e burimeve të financimit, e ca më pak, kontabilizimi i tyre. As transparenca në përdorimin e tyre, për të cilën është folur me ca shqetësim këto ditë. As korrupsioni i pashmangshëm në zbatimin e tyre. As borxhi që krijojmë e rrisim dhe as pengesat ligjore që janë lehtësisht të kapërcyeshme në kohë të caktuara.

Është shpërdorimi i përgjegjësisë publike, deri në përmasa të paimagjinueshme, që mban të bllokuara, keqpërdor, asgjëson dhe shkatërron burimet, vlerat, të mirat tona.

Këtë foto e kam marrë pak ditë më parë. Paraqet pjesë të  bypassit verior të Shkodrës, prej vitesh i bllokuar e i papërfunduar, askush sot nuk mban më mend se pse. Dhjetra milionë euro dergjen aty dhe çdo ditë qindra shqiptarë që duan të udhëtojnë në aksin kombëtar, janë të detyruar të kalojnë përmes qytetit, duke humbur kohë të çmuar e rënduar trafikun e ajrin e tij ndërkohë që qytetarët e Shkodrës sodisin vetëm një pirg gjigand zhavorri që u ka zënë pamjen e liqenit.

Të tillë ka shembuj Shqipëria, për fat të keq, ka plot. Ne kemi një TEC për të cilin kemi paguar prej 15 vitesh 120 milionë euro e nuk është vënë në punë as edhe një ditë të vetme. Kemi një rrugë me 4 korsi të shtruar prej vitesh nga TEG në Farkë, ku nuk kalon asnjë makinë e sot në të bari ka vajtur një metër në mes të asfaltit. Kemi rrugën e Velipojës që ka 3 vite që është financuar e plotë nga taksat tona dhe për të cilën kryeministri nuk përton të përsërisë çdo vit se për sezonin turistik do të përfundojë, paçka se aty nuk lëviz asgjë dhe të gjithë udhëtojnë në rrugën e vjetër. E natyrisht kemi edhe pllakat e Myslym Shyrit, ndoshta jo aq të rëndësishme sa këto më sipër e plot e plot shembuj të tjerë, por gjithsesi, emblematike për problemin real që Shqipëria ka për të zgjidhur – përgjegjshmëri ndaj publikut, me financimet publike në të mirë të vendit.

Për të tjerat, bota ka plot formula të gatshme.