Home AKTUALITET “Paralajmërimin e mora”: Sulmohet me armë banesa e gazetarit shqiptar

“Paralajmërimin e mora”: Sulmohet me armë banesa e gazetarit shqiptar

Sulmohet me armë banesa e gazetarit dhe opinionistit Gani Mehmetaj. Ngjarja e rëndë është bërë e ditur nga vetë Mehmetaj, ish-kryeredaktor i “Bota Sot” në një postim në rrjetin social facebook.

“Miq e dashamirë. Javën e kaluar me gjuajtën me armë zjarri në shtëpinë time, në dhomën e fjetjes. Predha e theu qelqin e parë, por u ndal në parvazin e dritares, në pjesën e aluminit, që ia ndryshoi drejtimin”, shkruan mes tjerash ai.

Ai thotë se për këtë rast ka njoftuar edhe Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Pak ditë më parë, Mehmetaj në një shkrim të tij ka zbuluar detaje të pathëna nga Gjyqi i Hagës, ku gazetari Baton Haxhiu ishte dëshmitar në këtë proces për krimet e “Kasapit të Ballkanit”- Sllobodan Millosheviç.

Mehmetaj shpjegon se, “kasapi i Ballkanit e frikësoi keqas Batonin, e frikësoi edhe Bakallin, duke ua bërë me dije publikisht se ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit Serb, prandaj s’kishin ç’të dëshmonin pos qyqarisë së tyre”.

Ja çfarë shkruan Mehmetaj

Paralajmërimin (kërcënues) e mora!

Miq e dashamirë. Javën e kaluar me gjuajtën me armë zjarri në shtëpinë time, në dhomën e fjetjes. Predha e theu qelqin e parë, por u ndal në parvazin e dritares, në pjesën e aluminit, që ia ndryshoi drejtimin.

Erdhi policia, erdhën edhe hetuesit, maten e çmatën dhe shkuan. E morën predhën e armës që ta analizojnë në laborator. Policia shikimin e bënë të shtunën, por që nga ajo ditë nuk u dukën më.
Paralajmërimin kërcënues e mora, por tekstet që u nuk i pëlqeu dikush nuk i tërheq dot, sepse i pushtuan portalet shqipe si asnjëherë më parë.

Përmes miqve e lajmërova Ambasadën amerikane. Miqtë tjerë më lajmëruan me telefon se e kanë takuar e lajmëruar edhe OSBE e institucionet e Kosovës. /Apel.al