Home AKTUALITET Situatë alarmante në Kosovë, shumë qytetarë po braktisin nënshtetësinë

Situatë alarmante në Kosovë, shumë qytetarë po braktisin nënshtetësinë

 

Tashmë Kosova ka hyrë në një krizë të madhe ekonomike dhe politike. Gjatë vitit 2019, mbi 5 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia e tyre, për të zgjedhur një nga vendet e Bashkimit Europian që nuk lejon dyshtetësinë, kryesisht në Gjermani, Austri, Kroaci dhe Slloveni.

Analistët politikë deklarojnë se numri kaq i madh i qytetarëve që kanë hequr dorë nga nënshtetësia është një çështje alarmante. Gjithashtu ata shprehen se kjo është një situatë tepër shqetësuese, pasi një gjë e tillë mund të krijojë një krizë identitare në Kosovë.

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se Kosova është duke përjetuar një krizë të madhe politike dhe ekonomike e cila po thellohet. Ai shprehet se Kosova është duke i përjetuar pasojat, tashmë të pashërueshme dhe afatgjata, sepse kjo krizë është duke e lënduar rëndë edhe embrionin identitar, që nënkupton prishjen etno gjenetike.

“Dëshmia më e mirë është heqja dorë nga nënshtetësia, që është manifesti më drastik i shpërbërjes identitare, sepse pjesa që heq dorë nga shtetësi e Kosovës, merr nënshtetësi tjetër dhe, automatikisht i nënshtrohet obligimeve të tjera. Pra ngarkohet me përgjegjësi të tjera, për ta kuptuar këtë fatkeqësi tragjike, le të kemi parasysh fatin e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, që kurrë më nuk mund t’i rikthehet normalitetit të vet identitar. Kjo fatkeqësi u ka ndodhur edhe mbi 500 mijë shqiptarëve që në 30 vitet e kaluara kanë marrë nënshtetësi të vendeve të ndryshme të botës, dhe këtyre do t’u bashkëngjiten edhe 5 mijë qytetarët që viteve të fundit kanë hequr dorë nga nënshtetësia”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Skënder Zogaj ka thënë se arsyeja e kësaj dukurie fatkeqe janë vështirësitë ekonomike e sociale të shkaktuara nga kriza e thellë politike dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor. Kjo gjë rrezikon qëndrimin e qytetarëve, të cilët janë të detyruar të përpiqen për mbijetesë duke u larguar nga vendi. /Apel.al